Ilir Selmani, i dënuar në shkallën e parë për vrasjen e ish-efektivit të policisë Santiago Malko, po ruhet 24 orë në 24 nga efektivë të RENEA-s dhe Forcës së Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Posaçëm për zëvendësimin e masës së sigurisë me “arrest në shtëpi”.
Sipas burimeve, masa e shtuar e sigurisë është kërkuar nga SPAK për shkak të dyshimeve se ekziston rrezik për një arratisje të mundshme të Selmanit, i cili u lirua nga paraburgimi më 19 qershor 2026 për shkak të përfundimit të afateve ligjore të paraburgimit gjatë procesit gjyqësor.
Efektivët e RENEA-s dhe FNSH-së qëndrojnë në ruajtje të tij gjatë gjithë kohës, deri në përfundimin e procesit në Gjykatën e Apelit. Nëse vendimi i shkallës së parë lihet në fuqi dhe Selmani dënohet përfundimisht, ai do të rikthehet menjëherë në burg për vuajtjen e dënimit.
Në shkallën e parë, Ilir Selmani është dënuar me 26 vite burg për akuzën e vrasjes së Santiago Malkos, ngjarje e ndodhur në gusht të vitit 2019 në Tiranë, e kryer sipas akuzës në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Ndërkohë, Selmani përballet edhe me një procedim tjetër penal nga Prokuroria e Elbasanit, pasi gjatë kohës që ndodhej në burg u kap me një aparat celular, duke u akuzuar për veprën penale të futjes së sendeve të palejuara në institucionet e vuajtjes së dënimit.
