Rama: Nuk tërhiqemi nga investimi në Zvërnec, pas protestave qëndrojnë sulme hibride dhe interesa konkurrence

Data

Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë një bashkëbisedimi me banorët e Zvërnecit se Shqipëria po përballet me një sulm hibrid të organizuar, duke përmendur Iranin, fushatat e dezinformimit në rrjetet sociale dhe interesat konkurruese rajonale si faktorë që, sipas tij, kanë nxitur debatin dhe protestat lidhur me projektin e investimit në Zvërnec.

Rama tha se institucionet shqiptare kanë evidentuar një aktivitet të pazakontë në rrjetet sociale që në momentet e para të publikimit të lajmeve për projektin, duke theksuar se vendi prej vitesh është objekt i sulmeve të lidhura me Iranin.

Sipas tij, një pjesë e narrativave të përhapura në internet janë ndërtuar mbi informacione të rreme, përfshirë pretendimet se projekti lidhet me zhvendosjen e palestinezëve në Shqipëri.

Kreu i qeverisë kritikoi gjithashtu mënyrën si ishte realizuar rrethimi i zonës në Zvërnec, duke e cilësuar atë si një veprim të gabuar nga personat përgjegjës në terren, ndërsa shtoi se imazhet dhe materialet e shpërndara më pas në rrjet kanë qenë pjesë e një fushate të organizuar dezinformimi.

Rama argumentoi se çështjet mjedisore përdoren shpesh si instrument për të nxitur tensione sociale dhe politike, duke iu referuar raporteve ndërkombëtare që, sipas tij, evidentojnë përdorimin e kauzave mjedisore për të ushtruar ndikim në vende që synojnë integrimin europian.

Një tjetër element që kryeministri përmendi ishte konkurrenca ekonomike dhe turistike në rajon. Ai deklaroi se Shqipëria ka hyrë në një fazë ku përballet me konkurrencë të fortë për tërheqjen e investimeve strategjike dhe se largimi i një investimi të madh do të kishte pasoja afatgjata për zhvillimin e turizmit.

“Ky investim nuk ikën nga Shqipëria sa të jem unë këtu”, deklaroi Rama, duke theksuar se humbja e një projekti të tillë do të ndikonte negativisht në përpjekjet shumëvjeçare për zhvillimin e sektorit turistik.

Kryeministri u shpreh se qeveria nuk ka ndërmend të negociojë mbi kërkesat për anulimin e projektit apo dorëheqjen e tij, ndërsa garantoi se procesi ka ndjekur standarde të rrepta dhe se projekti është rikthyer disa herë për përmirësime me qëllim respektimin e kritereve mjedisore.

Sipas Ramës, kërkesat e qeverisë kanë synuar rritjen e distancës nga laguna, mbrojtjen e biodiversitetit dhe përshtatjen e projektit me parametrat mjedisorë të zonës. Ai shtoi se projekti përfundimtar do t’u prezantohet fillimisht banorëve të Zvërnecit sapo të jetë gati.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related