Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, deputeti Tedi Blushi, tha sot në mbledhjen e Komisionit të Çështjeve Ligjore dhe Administratës Publike se paraburgimi është një nga padrejtësitë më të mëdha dhe dëshmi e shtetit represiv dhe policor të kryeministrit Edi Rama.
Ai nënvizoi në fjalën që mbajti në Komision se në Shqipëri më lehtë dënohesh për një kotec pulash pa leje, sesa për ndërtimin e një kulle pa leje. Edhe mbipopullimi në burgje ishte një nga çështjet që ai trajtoi, duke deklaruar se është tre herë më e lartë se mesatarja e vendeve të BE-së.
“Paraburgimi është një nga padrejtësitë më të mëdha. Mbipopullimi i burgjeve, dëshmi e shtetit represiv dhe policor të Edi Ramës. Gati 2/3 e qytetarëve në burgje janë të paraburgosur dhe 1/3 e tyre janë pa akuzë. Gati 3 herë më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian. Sot burgjet janë mbushur me të pafajshëm, ndërsa kriminelët janë të lirë. Sot dënohesh për 1 cigare hashash, por jo për 1 maune me drogë. Sot dënohesh për një kotec pa leje por jo për një kullë pa leje”, tha Blushi mes të tjerash.
Më tej ligjvënësi vuri në dukje se kërkesat e Prokurorisë për masat arrest me burg po shkatërrojnë jetë njerëzish, deri edhe në vetëvrasje brenda burgjeve. Dhe me një pyetje në fund ai iu drejtua kryeprokurorit Olsian Çela, që raportoi në Komision për rendin dhe kriminalitetin, nëse “ndihej fajtor që i ka shërbyer instalimit të një regjimi”
“Kërkesat e Prokurorisë për arrest me burg po shkatërrojnë jetë njerëzish. Vullneti juaj për të kërkuar arrest me burg për lidhje të paligjshme të energjisë elektrike ka çuar në vetëvrasje brenda burgjeve. Kanë humbur jetën në burg për 35 mijë lekë të vjetra të papaguara për OSSHE. A ndiheni fajtor Z. Kryeprokuror që i keni shërbyer instalimit të një regjimi represiv që është i ashpër me të dobëtit dhe i butë me të fortit”, tha deputeti i PL.
Mbledhje e përbashkët e Komisionit të Çështjeve Ligjore dhe Administratën Publike me Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, 14 Tetor 2025 ka në rend të ditës:
- Seancë dëgjimore për raportimin vjetor të Ministrit të Drejtësisë mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2024
- Seancë dëgjimore për raportimin e Prokurorit të Përgjithshëm mbi gjendjen e kriminalitetit, për vitin 2024
- Seancë dëgjimore për raportimin mbi veprimtarinë e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për vitin 2024
