Protestuesit: Nuk largohemi nga sheshi pa rënë qeveria, kundërshtimi ndaj projektit në Zvërnec vijon

Data

2be1fc59-6725-491a-bfe9-7ab244e09d3dProtesta e gjashtë radhazi kundër qeverisë dhe projektit të parashikuar në Zvërnec u shoqërua me deklarata të forta nga qytetarët e mbledhur përpara godinës së Kryeministrisë në Tiranë.

Gjatë tubimit, protestuesit shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisë dhe kërkuan largimin e saj, duke argumentuar se ka humbur besimin dhe mbështetjen e qytetarëve.

Një prej protestueseve deklaroi se pjesëmarrësit nuk do të largohen nga sheshi derisa të realizohen kërkesat e tyre.

“Ne nuk do të largohemi nga sheshi pa rënë kjo qeveri. Kjo qeveri e ka humbur legjitimitetin e vet dhe nuk mund të flasë më në emër të qytetarëve”, u shpreh ajo gjatë protestës.

Në vijim të tubimit, protestues të tjerë bënë thirrje për pjesëmarrje më të gjerë qytetare, duke u kërkuar shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit që t’u bashkohen protestave.

“Çohuni shqiptarë, çohuni në shesh për të ndryshuar Shqipërinë dhe për t’u dhënë shpresë atyre që janë larguar nga vendi”, deklaroi një tjetër pjesëmarrës.

Protesta, e cila nisi fillimisht si kundërshtim ndaj projektit të investimit në Zvërnec, është shoqëruar ditët e fundit edhe me kërkesa politike, ku protestuesit kanë kërkuar anulimin e projektit dhe largimin e qeverisë.

Tubimi u zhvillua mes pankartave, thirrjeve dhe sloganeve kundër qeverisë, ndërsa organizatorët dhe pjesëmarrësit kanë paralajmëruar vijimin e protestave edhe në ditët në vijim.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related