“Rama meriton të dergjet burgjeve për 40 vite”/ Berisha: Zemërimi po vlon, imuniteti i Ballukut do hiqet nga populli

Data

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sulmuar ashpër kryeministrin Edi Rama, duke e akuzuar se po përdor pushtetin për të mbrojtur zëvendëskryeministren Belinda Balluku nga drejtësia, në një kohë kur Prokuroria e Posaçme ka kërkuar arrestimin e saj.

Në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se Rama nuk do të pranojë kurrë dorëzimin e imunitetit të Ballukut, pasi sipas tij, një veprim i tillë do të hapte rrugën edhe për rrëzimin e imunitetit të vetë kryeministrit. Ai e cilësoi këtë si arsye kryesore të mbrojtjes politike që po i bëhet Ballukut.

“Edi Rama nuk do ta heqë kurrë imunitetin e Belinda Ballukut, sepse në atë moment dorëzon edhe imunitetin e tij. Ai e di se me aferat e tij korruptive meriton të dergjet burgjeve për 30 apo 40 vite,” deklaroi Berisha.

Sipas kreut të opozitës, Rama po bën gjithçka për të mbrojtur veten dhe bashkëpunëtorët e tij, duke ushtruar presion mbi institucionet e drejtësisë dhe duke përdorur Gjykatën Kushtetuese si një mburojë politike.

Berisha u ndal veçanërisht te Gjykata Kushtetuese, të cilën e akuzoi se është shndërruar në një institucion të kapur dhe të degraduar, që sipas tij po shërben si “parzmorja e fundit” për mbrojtjen e zyrtarëve të akuzuar për korrupsion.

“Gjykata Kushtetuese sot është kthyer në parzmoren e fundit të plaçkitësve të Shqipërisë. Ky është një nga momentet më të turpshme në historinë e drejtësisë shqiptare,” u shpreh ai.

Kreu i PD-së deklaroi se edhe nëse qeveria refuzon heqjen e imunitetit të Ballukut, kjo do të ndodhë nga vetë qytetarët, duke paralajmëruar për rritje të pakënaqësisë dhe reagim të fortë popullor.

“Imuniteti i Ballukut nuk do të hiqet nga Rama, por nga populli shqiptar. Zemërimi po vlon në zemrat dhe shpirtin e qytetarëve dhe askush nuk do t’i shpëtojë popullit të zemëruar,” përfundoi Berisha.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related