“Rruga e florinjtë” po shembet/ Berisha: Pallati i Ramës u pagua me vjedhje, janë hajdutë të shpërfytyruar

Data

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe familjes së tij, duke i lidhur drejtpërdrejt me aferën e rrugës Qukës–Qafë Plloçë, të cilën e ka cilësuar si “rruga e florinjtë” që tashmë po shembet.

Berisha deklaroi se kompania që ndërtoi pallatin e bashkëshortes së kryeministrit, Linda Rama, është e njëjta kompani që përfitoi qindra miliona euro nga ndërtimi i këtij aksi rrugor, duke fryrë në mënyrë skandaloze kostot. Sipas tij, rruga ishte parashikuar fillimisht me një kosto prej 73 milionë eurosh, por pas vitit 2013 fatura është rritur në mënyrë të pajustifikuar deri në 300 milionë euro në letra, ndërsa në realitet, sipas Berishës, ka shkuar në rreth 450 milionë euro.

“Rruga Qukës–Qafë Plloçë iu besua ndërtuesit të pallatit në pajë të zonjës Rama. Aty nisi fryrja e faturave, mashtrimet dhe grabitja e fondeve publike. Sot rruga po shembet, sepse paratë nuk shkuan për ndërtim, por për luks dhe korrupsion,” u shpreh Berisha.

Ai solli si shembull Lotin 3 të kësaj rruge, me gjatësi rreth 9 kilometra, i cili sipas projektit duhej të kishte ura dhe vepra inxhinierike, por në realitet nuk ka asnjë të tillë. Megjithatë, kostoja e këtij loti ka arritur në rreth 87 milionë euro, sa kilometri i Rrugës së Kombit, e cila përfshin dhjetëra ura dhe tunele.

“Kjo është prova e qartë se kemi të bëjmë me hajdutë të shpërfytyruar. Një rrugë pa ura dhe pa tunele kushton sa rrugët më të vështira malore në Shqipëri,” theksoi ai.

Berisha shtoi se edhe fondet për përforcimin e shpateve dhe skarpateve janë abuzuar. Sipas tij, nga 2.5 milionë euro të parashikuara për sigurinë e rrugës, janë përdorur vetëm një pjesë e vogël, ndërsa pjesa tjetër është zhdukur, duke bërë që rruga sot të shembet “si karton”.

Në përfundim, Berisha akuzoi qeverinë se ka përdorur paratë publike për të ndërtuar pasuri private dhe paralajmëroi se këto afera do të jenë objekt hetimi dhe ndëshkimi politik e penal.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related