Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se Bashkimi Europian i ka dërguar mesazhe të qarta kryeministrit Edi Rama lidhur me çështjen e drejtësisë dhe rastin e Belinda Ballukut.
Sipas Berishës, Brukseli i ka kërkuar Ramës që të mos ndërhyjë në sistemin e drejtësisë dhe të shkarkojë menjëherë zëvendëskryeministren nga detyra. Ai theksoi se, sipas tij, partnerët europianë nuk pranojnë një largim formal përmes rikompozimit të qeverisë, por një shkarkim të drejtpërdrejtë.
Berisha komentoi gjithashtu mungesën e Ramës në Konferencën e Sigurisë në Mynih, duke pretenduar se kryeministrit i janë mbyllur dyert nga ndërkombëtarët për shkak të zhvillimeve të fundit politike dhe përplasjes me drejtësinë.
Deklaratat e liderit të opozitës vijnë në një moment tensioni politik, ndërsa mazhoranca ka ndërmarrë nismë ligjore për ndryshime në Kodin e Procedurës Penale lidhur me pezullimin e zyrtarëve të lartë.
