Kreu i PD Sali Berisha ka lëshuar sërish akuza të rënda ndaj kryetares së Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), Irena Gjoka, pas paraqitjes së tij tek prokurorët e SPAK në kuadër të masës “detyrim paraqitje”.
Në një deklaratë për mediat, Berisha e quajti gjyqtaren “mashtruese ordinere e pacipë” dhe shtoi se ajo duhet të jetë subjekt i ligjit. Ai akuzoi Gjokën se ka mashtruar institucionet shqiptare në disa raste. Sipas tij, në formular ajo ka deklaruar se nuk është e dënuar, megjithëse, sipas Berishës, ka të dhëna për të kundërtën.
Ai përmendi gjithashtu një rast të vitit 2003, ku Gjoka, sipas tij, ka firmosur një prokurë tek noteri duke u paraqitur si bashkëshorte e një shtetasi, ndonëse certifikata e martesës daton tre vite më vonë. Berisha shtoi se gjyqtarja ka mashtruar edhe në lidhje me një dëbim të supozuar nga Greqia, duke marrë prokurë për të hequr masat ndaj saj.
