Kryeministri Edi Rama vijoi edhe këtë të diel me podcastin e tij “Flasim”, ku komentoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e bllokimit të aplikacionit TikTok.
Rama e cilësoi vendimin e gjykatës të panevojshëm dhe “si kofini pas të vjelit”, duke theksuar se çështja ishte zgjidhur tashmë pas ndërhyrjeve të bëra nga kompania që menaxhon platformën.
Sipas tij, vendimi për bllokimin e TikTok-ut ishte mbështetur nga rreth 95 për qind e mësuesve dhe prindërve, ndërsa kishte sjellë edhe masa konkrete nga kompania për rritjen e sigurisë së përdoruesve shqiptarë.
Kryeministri tha se falë këtij vendimi janë vendosur filtra algoritmikë për kontrollin e moshës dhe për përmbajtjen me gjuhë të dhunshme, duke shtuar se këto masa synojnë mbrojtjen e fëmijëve në përputhje me detyrimet kushtetuese të shtetit.
Ai kritikoi gjithashtu qasjen ndaj sistemit të drejtësisë, duke theksuar se gjyqtarët dhe prokurorët nuk duhet të trajtohen me mentalitetin “lule mos më prek”.
“Mirë është që gjyqtarët dhe prokurorët të përballen me kritika konstruktive për të përmirësuar punën e tyre. Trajtimi si ‘lule mos më prek’ nuk përmirëson drejtësinë”, u shpreh Rama.
Sipas kryeministrit, vendimi për bllokimin e aplikacionit nuk është kundërshtuar as nga Bashkimi Evropian dhe madje është komentuar pozitivisht në arenën ndërkombëtare, në një kohë kur shumë vende po shqyrtojnë masa të ngjashme për kontrollin e platformave sociale.
