Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me vendimin e Kuvendit për të mos pranuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e deputetes Belinda Balluku.
Gjatë një deklarate publike, Rama u shpreh se çështja është tashmë e mbyllur, pasi Kuvendi ka marrë një vendim pas shqyrtimit të materialeve të paraqitura.
“Kuvendi i dha fund një debati dhe përplasje të gjatë mbi kërkesën për të autorizuar heqjen e lirisë së një deputeti. Çështja e deputetes Balluku, sipas meje dhe sipas nesh, është e mbyllur”, tha Rama.
Ai theksoi se parlamenti e shqyrtoi kërkesën me kujdes dhe vendosi të mos e autorizojë, duke e cilësuar kërkesën si pjesë të një “kuturisjeje” që, sipas tij, nuk duhet të vazhdojë pafundësisht.
Sipas kryeministrit, lufta kundër korrupsionit nuk duhet të çojë në trajtimin e njerëzve si mjete apo në kufizimin e lirisë së tyre pa prova konkrete për korrupsion ose përvetësim personal.
Rama shtoi gjithashtu se deputetët janë të barabartë para ligjit dhe duhet të hetohen nëse ka arsye për hetim, por kufizimi i lirisë së tyre nuk mund të bëhet mbi bazën e përgjithësimeve apo teorive.
“Nuk mund të ndodhë që gjyqtari dhe prokurori të bëjnë çfarë të duan kur trokasin në derën e Kuvendit. Kuvendi nuk mund të bëjë sikur nuk sheh apo nuk dëgjon dhe të refuzojë të bëjë punën e tij”, u shpreh Rama.
