Netanyahu kërkon ndihmën e Zelenskyt për dronët iranianë, pritet bisedë mes Izraelit dhe Ukrainës

Data

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka kërkuar ndihmën e Ukrainës në përballjen me sulmet me dronë iranianë, ndërsa pritet të zhvillojë një bisedë zyrtare me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Sipas mediave izraelite, Tel Avivi po kërkon konsultime me Kievin për shkak të përvojës që Ukraina ka fituar në interceptimin dhe shkatërrimin e dronëve iranianë gjatë luftës me Rusinë.

Ambasadori i Ukrainës në Izrael, Yevhen Korniychuk, konfirmoi se kërkesa për këtë telefonatë është paraqitur zyrtarisht. Megjithatë, për shkak të agjendave të ngarkuara të të dy liderëve, biseda ende nuk është zhvilluar.

Sipas raportimeve, komunikimi pritet të realizohet në fillim të javës së ardhshme dhe do të fokusohet në shkëmbimin e të dhënave teknike dhe strategjike për mbrojtjen kundër sulmeve me dronë.

Ndërkohë, tensionet në rajon janë rritur edhe më tej pasi Garda Revolucionare e Iranit ka kërcënuar drejtpërdrejt kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, duke deklaruar se do ta “ndjekë dhe do ta vrasë”.

Në të njëjtën kohë, presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se SHBA nuk është ende gati për një marrëveshje me Iranin për t’i dhënë fund luftës.

Në një intervistë për NBC, Trump tha se sulmet amerikane kanë shkatërruar pjesë të rëndësishme të infrastrukturës në ishullin Kharg, një qendër kryesore e eksportit të naftës së Iranit, duke shtuar se objektivi mund të goditet sërish nëse është e nevojshme.

Situata mbetet e tensionuar, pasi Izraeli dhe Irani kanë shkëmbyer sulme ajrore gjatë natës, ndërsa janë raportuar edhe sulme me raketa dhe dronë në disa vende të rajonit. Ambasada amerikane në Bagdad ka paralajmëruar qytetarët e saj që të largohen menjëherë nga Iraku për shkak të rrezikut të lartë të sulmeve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related