Analiza e REL: Kë prek pezullimi i vizave të emigrimit për në SHBA? Çfarë lejohet, çfarë ndalohet dhe pse u mor vendimi

Data

Pezullimi i përkohshëm i vizave të emigrimit për në Shtetet e Bashkuara për 75 vende, mes tyre edhe Shqipëria dhe Kosova, ka ngritur shqetësime dhe paqartësi te mijëra qytetarë që synojnë të shpërngulen përtej Atlantikut.

Vendimi, i marrë më 14 janar dhe që hyn në fuqi më 21 janar 2026, lidhet me rishikimin e politikave të emigracionit dhe synon të ndalojë hyrjen e personave që mund të konsiderohen “barrë publike” për sistemin amerikan të ndihmës sociale.

Çfarë është viza e emigrimit?

Viza e emigrimit është dokumenti që i lejon një shtetasi të huaj të hyjë në SHBA për të jetuar përgjithmonë, duke fituar statusin e banorit të përhershëm (Green Card). Ajo u jep të drejtë për punë pa kufizime dhe më pas për aplikim për shtetësi amerikane.

A lejohet aplikimi gjatë pezullimit?

Po. Aplikimet dhe intervistat do të vazhdojnë normalisht. Megjithatë, gjatë periudhës së pezullimit, vizat e emigrimit nuk do të lëshohen, edhe nëse aplikanti kalon intervistën.

Kush nuk preket nga pezullimi?

Vendimi nuk prek personat që kanë dy shtetësi dhe aplikojnë me pasaportë të një vendi që nuk ndodhet në listën e 75 shteteve të përfshira. Në Ballkanin Perëndimor, Serbia nuk është përfshirë në këtë listë.

Çfarë ndodh me ata që tashmë kanë vizë?

Personat që kanë marrë vizë emigrimi para hyrjes në fuqi të vendimit nuk preken. Vizat e lëshuara më herët mbeten të vlefshme dhe nuk anulohen.

A preken vizat turistike dhe studentore?

Jo. Pezullimi vlen vetëm për vizat e emigrimit. Vizat turistike, studentore dhe vizat e tjera jo-emigruese nuk përfshihen në këtë masë.

Pse u mor ky vendim?

Sipas autoriteteve amerikane, një përqindje e lartë e emigrantëve nga disa vende përfituese të vizës së emigrimit përfundojnë në sistemin e ndihmës sociale dhe nuk integrohen përmes punës. Administrata amerikane synon të forcojë kriteret për të garantuar që emigrantët të jenë financiarisht të pavarur dhe të mos rëndojnë mbi taksapaguesit.

Të dhënat e publikuara tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e emigrantëve nga Ballkani dhe vende të tjera të listës marrin ndihmë sociale pas mbërritjes në SHBA, çka ka shërbyer si bazë për këtë vendim.

Pezullimi është i përkohshëm dhe do të zgjasë derisa të përfundojë rishikimi i plotë i procedurave të emigracionit, pa një afat të përcaktuar për përfundimin e tij.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related