Partitë opozitare në Mal të Zi nuk lejuan mbajtjen e seancës së parlamentit të premten, duke penguar interpelancën e Kryeministrit malazez. Opozita kërkon anulimin e vendimit që lidhet me nxjerrjen në pension të gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese, të cilin ajo e konsideron si “puç kushtetues”. Përplasjet politike në Mal të Zi vijnë pas Konferencës Ndërqeveritare të mbajtur në Bruksel, ku Mali i Zi mbylli tre kapituj. Që nga hapja e negociatave për anëtarësim në BE në vitin 2012 e deri më tani, Mali i Zi ka mbyllur gjithsej gjashtë kapituj.
Në seancën e Komisionit Kushtetues të Parlamentit të Malit të Zi u aktivizua një tymuese që shkaktoi incident duke e ndërprerë punën e Komisionit. Ky moment ndodhi gjatë një debati të tensionuar mes opozitës dhe pushtetit lidhur me plotësimin e kushteve për pension të tre gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Debati përfshinte edhe çështjen nëse duhet shpallur një thirrje publike për zgjedhjen e pasuesve të tyre.
Përfaqësuesi i opozitës malazeze, Milosh Konatar kërkoi ndërprejen e seancës parlamentare duke theksuar se nuk do ta lejojnë shkeljen e qytetarëve dhe të shtetit të Malit të Zi.
