Kryeministri Edi Rama ka komentuar një episod të pazakontë që, sipas tij, ka ndodhur në ambientet e Kryeministrisë, ku disa agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) nuk kanë respektuar rregulloren e sigurisë së Gardës së Republikës.
Gjatë podkastit të tij “Flasim”, Rama tregoi se agjentët kishin hyrë në godinën e Këshillit të Ministrave, por refuzuan të linin armën në hyrje, siç parashikohet nga protokollet e sigurisë së lartë.
Duke përdorur tone ironike, kreu i qeverisë i quajti ata “trimosha të BKH-së”, ndërsa theksoi se raste të tilla nuk duhet të interpretohen automatikisht si dështim i Reformës në Drejtësi, por si sinjal alarmi për nevojën e reflektimit institucional.
“Kam dëgjuar shumë çudira për disa trimosha të BKH-së, të cilët kishin ardhur një ditë në godinën e Këshillit të Ministrave dhe nuk donin ta linin patllaken tek dera, sipas rregullores së sigurisë së lartë të Gardës së Republikës”, u shpreh Rama.
Ai theksoi se nuk mbështet logjikën e “dënimit me indicie” dhe se nuk beson se drejtësia e re ka humbur sensin apo është kapur nga mendësitë e vjetra. Megjithatë, Rama nënvizoi se ka ardhur koha për një reflektim serioz, profesional dhe ndërinstitucional.
Sipas kryeministrit, është thelbësore që të garantohet suksesi i Reformës në Drejtësi dhe pavarësia e gjyqësorit, por pa rrezikuar liritë, të drejtat dhe funksionimin normal të administratës dhe ekonomisë së vendit.
“Nuk mund të lejojmë që kura të bëhet problem më i madh se sëmundja”, paralajmëroi Rama, duke shtuar se procesi historik i reformës duhet të mbrojë drejtësinë e re, por edhe të shmangë devijimet që mund të dëmtojnë shtetin ligjor.
