Një përplasje e fortë e brendshme po zien në Partinë Socialiste. Burime nga brenda mazhorancës flasin për një fushatë linçimi politik të nisur nga kryeministri kundër ministres së Jashtme, Elisa Spiropali, e futur tashmë në atë që quhet “lista e zezë” e Ramës. Arsyeja? Frika se ajo po perceptohet si alternativë e pranueshme për kryeministre tranzitore, në rast se Rama detyrohet të largohet për shkak të skandaleve dhe hetimeve që kanë goditur qeverinë në nivelet më të larta.
Sipas burimeve, këto biseda nuk zhvillohen më në fshehtësi: deputetë socialistë i diskutojnë hapur, madje edhe në ambiente publike. Pikërisht kjo ka ndezur alarmin te kryeministri, i cili në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar ka sulmuar ashpër Spiropalin në mungesë, duke e cilësuar punën e saj si dështim. Mesazhi ka qenë i prerë: nuk ka dhe nuk do të ketë qeveri pa Edi Ramën.
Goditje preventive dhe spastrim politik
Brenda PS-së po lexohet qartë një strategji goditjeje preventive ndaj çdo figure që shihet si kërcënim për pushtetin personal të Ramës. Shembujt janë të njohur: rivalë të dikurshëm politikë janë nxjerrë jashtë loje, ndërsa emra të tjerë mbahen nën presion konstant. Në këtë panoramë, Belinda Balluku përmendet si figurë e ekspozuar nga hetimet, ndërsa Spiropali shihet si “armike e brendshme” që gëzon mbështetje dhe profil ndërkombëtar.
Për shumë socialistë, Spiropali përfaqëson një opsion stabiliteti për partinë, në një moment kur qeveria është e mbërthyer nga skandale, hetime dhe goditje institucionale. Pikërisht ky perceptim e ka shtyrë Ramën të kalojë nga mbrojtja në sulm frontal.
Kritikat publike – sinjal lufte
Në fjalimin e tij të fundit, Rama e cilësoi Ministrinë e Jashtme si “një tjetër dështim të madh”, duke ironizuar se aty “duket sikur punojnë vetëm ministrja, sekretarja dhe roja”. Ai sulmoi hapur mënyrën e funksionimit të dikasterit, ligjin për diplomacinë dhe mungesën e reformës reale, duke e mbyllur me një mesazh simbolik: “Dy amanetet e mia janë Ministria e Punëve të Jashtme dhe RTSH”.
Në lexim politik, kjo nuk ishte thjesht kritikë administrative, por sinjal paralajmërues. Brenda PS-së po flitet për spastrim politik, ku “pastrimi” nuk synon korrupsionin, por neutralizimin e rivalëve të mundshëm.
Lufta për pushtet ka nisur
Tashmë është e qartë: lufta për pushtet ka nisur brenda selisë rozë. Rama po përpiqet të mbyllë çdo rrugë alternative dhe të frikësojë çdo figurë që guxon të mendojë për një PS pa të. Por sa më shumë shtohet presioni, aq më shumë rritet pakënaqësia e brendshme.
Në këtë betejë, askush nuk ndihet më i sigurt. Ditët në vijim pritet të tregojnë nëse linçimi politik ndaj Spiropalit do të thellohet, apo nëse përplasja do të dalë hapur në skenë, duke ekspozuar krizën më serioze të pushtetit brenda Partisë Socialiste.
