“Krimi po sundon vendin”/ Familjari i policit të vrarë i drejtohet Begajt mes lotësh: Po na vrisni djemtë e Shqipërisë

Data

Momente të forta emocionale kanë shoqëruar homazhet në nder të efektivit të Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, i cili humbi jetën gjatë kryerjes së detyrës në një operacion policor në Maliq.

Gjatë ceremonisë mortore në Pogradec, mes dhimbjes dhe lotëve të familjarëve, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, u përball me reagimin e ashpër të një prej të afërmve të efektivit të ndjerë. Xhaxhai i Enea Mekollit i kërkoi kreut të shtetit që institucionet të marrin masa konkrete kundër kriminalitetit, duke shprehur revoltën për humbjen e nipit të tij.

Sipas tij, vendi po përballet me një situatë të rëndë sigurie, ku krimi po sfidon autoritetet dhe po merr jetë të pafajshme. Ai theksoi se personi që i mori jetën efektivit kishte qenë objekt i tentativave të mëparshme për arrestim, duke ngritur pikëpyetje mbi masat e marra nga institucionet përgjegjëse.

“E latë këtë vend në dorë të kriminelëve. Po na vrasin djemtë, po humbasim rininë. Duhet të bëni detyrën dhe të merrni masa. Krimi po sundon në çdo cep të Shqipërisë, ndërsa njerëzit e ndershëm po paguajnë çmimin më të rëndë”, u shpreh ai mes emocioneve.

Presidenti Begaj nuk reagoi me deklarata publike ndaj akuzave të familjarit, por iu afrua dhe e përqafoi në shenjë ngushëllimi dhe solidariteti për humbjen e rëndë.

Vrasja e efektivit Enea Mekolli ka tronditur opinionin publik dhe ka rikthyer debatin mbi sigurinë e punonjësve të policisë gjatë operacioneve kundër personave me precedentë kriminalë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related