Arratisja skandaloze e Altin Ndocit trondit drejtësinë: Drejtori i Burgut të Durrësit në qeli, mjekja në arrest shtëpie

Data

Gjykata e Durrësit ka lënë në fuqi masat e sigurisë për dy nga personat kyç të përfshirë në arratisjen e bujshme të të paraburgosurit Altin Ndoci. Drejtori i Burgut të Durrësit, Indrit Cërloj, do të qëndrojë në arrest me burg, ndërsa mjekja e institucionit, Ylfete Sema, është lënë në arrest shtëpie.

Vendimi u mor pas shqyrtimit të masave paraprake të sigurisë, duke konfirmuar përgjegjësinë e drejtuesve institucionalë në një nga skandalet më të rënda të sistemit penitenciar të viteve të fundit. Ndërkohë, për pjesën tjetër të të arrestuarve, gjykata ka vendosur masa të ndryshme: tre persona janë lënë në qeli, dy të tjerë në arrest shtëpie dhe tre me detyrim paraqitjeje.

Altin Ndoci konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe është nën akuzë nga SPAK për një sërë veprash të rënda penale. Ai dyshohet për përkrahje të autorit të krimit, konkretisht Talo Çela, në periudhën 2020–2021 në Tiranë, Durrës dhe Elbasan, në lidhje me disa vrasje të bujshme. Po ashtu, ndaj tij rëndojnë akuza për vrasje në rrethana cilësuese ndaj dy ose më shumë personave, mbajtje pa leje të armëve, si dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Arratisje që ngjan me një film amator aksioni

Sipas dosjes hetimore, mënyra se si u realizua arratisja e Altin Ndocit ka zbuluar shkelje flagrante të procedurave të sigurisë në çdo hallkë të shoqërimit. Që nga dalja nga Burgu i Durrësit deri te mbërritja në Spitalin Rajonal, protokollet standarde janë injoruar plotësisht.

Momenti i arratisjes është përshkruar si thuajse absurd: dy efektivë policie neutralizohen nga një grusht i vetëm, njëri prej tyre rrëzohet në shkallët e spitalit gjatë ndjekjes, ndërsa një e shtënë paralajmëruese bëhet jo në ajër, por në tokë. Ndërkohë, Ndoci arrin të largohet pa asnjë pengesë, duke hipur në një automjet që e priste në hyrjen e jashtme të spitalit.

Ngjarja ka ngritur pikëpyetje të forta mbi bashkëpunimin, neglizhencën dhe përgjegjësinë institucionale, ndërsa hetimet pritet të thellohen për të zbardhur nëse kemi të bëjmë vetëm me paaftësi apo me një skemë të mirëorganizuar për të favorizuar arratisjen e një personi me precedentë të rëndë kriminalë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related