Rama e quajti Ministrinë e Jashtme “dështim”, Spiropali bie dakord: Ka nevojë për reformim të thellë

Data

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka rënë dakord me vlerësimin kritik të kryeministrit Edi Rama, i cili gjatë një mbledhjeje të grupit parlamentar të PS e cilësoi Ministrinë e Jashtme si një “dështim” që kërkon ndërhyrje dhe reformim.

E pyetur mbi këtë deklaratë, Spiropali theksoi se pavarësisht rolit pozitiv që Shqipëria ka ndërtuar në arenën ndërkombëtare, ekziston një mospërputhje mes nivelit të përfaqësimit dhe funksionimit të brendshëm të shërbimit diplomatik.

Sipas saj, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme duhet të ngrihet në një nivel të ri përgjegjësie dhe përfaqësimi, veçanërisht në një fazë kyçe siç janë negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Spiropali bëri të ditur se gjatë 100 ditëve të para në krye të ministrisë ka evidentuar ekspertizë të lartë dhe kontribute të rëndësishme nga diplomatë me përvojë, por njëkohësisht edhe probleme strukturore të trashëguara ndër vite, si mungesa e meritokracisë, gradimeve dhe vlerësimit profesional.

Ministrja u ndal edhe te ligji i ri për shërbimin e jashtëm, i cili pritet të kalojë në Kuvend më 28 janar. Sipas saj, ky ligj do të hapë rrugën për promovimin e talenteve të reja, përfshirjen e profesionistëve që kanë punuar në organizata ndërkombëtare dhe ndërtimin e një trupe diplomatike të bazuar në meritë dhe performancë.

Ajo theksoi se Shqipëria ndodhet përballë një roli të ri në politikën europiane dhe ndërkombëtare, çka kërkon një administratë diplomatike më të mirëorganizuar, më të shpërblyer dhe më aktive edhe në diplomacinë publike.

Spiropali vlerësoi kontributin historik të MEPJ, por pranoi se tranzicioni i gjatë ka krijuar ngërçe institucionale që sot kërkojnë zgjidhje përmes reformimit tërësor të ligjit dhe trupës diplomatike.

Në përfundim, ministrja theksoi se synimi i qeverisë është mbyllja e negociatave me BE-në brenda vitit 2027 dhe anëtarësimi i Shqipërisë brenda vitit 2029, një proces që, sipas saj, kërkon angazhim maksimal dhe një Ministri të Jashtme në lartësinë e këtij misioni.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related