Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi këtë të hënë se Presidenti rus Vladimir Putin ka marrë një ftesë zyrtare për t’u bërë pjesë e të ashtuquajturit “Bordi i Paqes”, një mekanizëm i ri ndërkombëtar i iniciuar nga Shtetet e Bashkuara për menaxhimin dhe zgjidhjen e konflikteve, me fokus fillestar situatën në Gaza.
Gjatë një konference për shtyp në Moskë, Peskov konfirmoi se ftesa është përcjellë përmes kanaleve diplomatike dhe se aktualisht autoritetet ruse po analizojnë propozimin.
“Po, Presidenti Putin ka marrë një ftesë për t’u bashkuar me këtë Këshill Paqësor. Ne po shqyrtojmë detajet e iniciativës dhe presim kontakte të mëtejshme me palën amerikane për të sqaruar të gjitha aspektet e saj”, u shpreh Peskov.
Sipas njoftimeve nga Shtëpia e Bardhë, “Bordi i Paqes” është krijuar për të mbështetur zbatimin e planit me 20 pika të Presidentit Donald Trump, i cili synon t’i japë fund luftës në Gaza dhe të drejtojë procesin e rindërtimit të territorit pas konfliktit.
Ky bord do të ketë rol mbikëqyrës strategjik, do të koordinojë burimet ndërkombëtare dhe do të garantojë llogaridhënie gjatë tranzicionit të Gazës nga konflikt në paqe dhe zhvillim.
Në kuadër të të njëjtës iniciativë, SHBA-të kanë krijuar edhe Komitetin Kombëtar për Administrimin e Gazës, i cili do të merret me zbatimin e fazës së dytë të planit, në bashkëpunim me struktura ekzekutive dhe mbështetëse.
Sipas burimeve zyrtare, ftesa për t’iu bashkuar këtij mekanizmi i është drejtuar edhe liderëve të tjerë botërorë, përfshirë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
