Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar ashpër në Konferencën e Kryetarëve ndaj deklaratave të kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, duke i cilësuar si “pafytyrësi” pretendimet se sesioni i kaluar parlamentar ishte i suksesshëm dhe se opozitës i është dhënë hapësirë.
Zhupa u shpreh se krahasimi i orëve të diskutimit mes opozitës dhe mazhorancës nuk tregon demokraci parlamentare, por përkundrazi nxjerr në pah faktin se deputetët e mazhorancës nuk kanë pasur rol real në debat.
Sipas saj, kryeministri Edi Rama i ka trajtuar deputetët socialistë si “kartona dhe ushtarë pa personalitet”, duke u dhënë porosi që të mos diskutojnë, por vetëm të votojnë projektligjet e qeverisë pa asnjë kundërshtim.
Deputetja e PD-së theksoi se opozitës i janë mohuar sistematikisht të drejtat parlamentare, duke përmendur refuzimin e mbledhjes së Këshillit të Mandateve, moslejimin e mocioneve me debat dhe bllokimin e interpelancave me kryeministrin.
Ajo ngriti shqetësimin se asnjë projektligj i propozuar nga deputetët e opozitës nuk ka një datë për shqyrtim në kalendarin parlamentar, ndërsa projektligjet e qeverisë dhe ato të mazhorancës kalojnë me përparësi.
Zhupa akuzoi mazhorancën se përdor deputetët për të paraqitur projektligje qeveritare, vetëm për të shmangur procesin e konsultimit publik dhe debatit real, duke e kthyer Kuvendin në një institucion formal pa funksion përfaqësues.
Si shembull, ajo përmendi projektligjin e saj për pagat e mësuesve dhe heqjen e 5 mijë lekëshit të kategorisë, i cili sipas saj mbahet në sirtar sepse mazhoranca nuk guxon as ta rrëzojë, as ta miratojë, nga frika e reagimit publik dhe presionit të qeverisë.
Në përfundim, Zhupa e cilësoi realitetin aktual parlamentar si një situatë ku Kuvendi nuk respekton rregulloren, nuk garanton pluralizëm dhe funksionon vetëm sipas vullnetit të kryeministrit.
