Kryeministri Edi Rama ka reaguar për zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, duke dënuar sulmet e Iranit ndaj vendeve arabe ku ndodhen baza të ushtrisë amerikane, si edhe ndaj Izraelit.
Në një postim në rrjetet sociale, ai i cilësoi goditjet me dronë dhe raketa ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe si “hakmarrje e verbër e një sistemi të dështuar”, duke theksuar se ato zbulojnë natyrën e vërtetë të regjimit në Teheran.
Sipas Ramës, këto sulme nuk përbëjnë vetëm agresion ndaj një shteti sovran, por janë goditje ndaj stabilitetit, prosperitetit dhe vetë idesë së një Lindjeje të Mesme të bazuar në paqe dhe bashkëpunim. Ai theksoi se goditja e një qendre si Dubai synon destabilizimin e gjithë rajonit.
Kreu i qeverisë nënvizoi se Shqipëria qëndron në solidaritet të plotë me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe se siguria në Gjirin Persik është një çështje me rëndësi globale, pasi prek energjinë, tregtinë dhe ekuilibrin ndërkombëtar.
Në përfundim, Rama bëri thirrje për unitet të komunitetit ndërkombëtar kundër agresionit dhe përdorimit të terrorit si instrument politik.
