Rama akuzon opozitën për sulme ndaj Ballukut: Duan ta shohin në burg pa gjyq

Data

Kryeministri Edi Rama ka akuzuar opozitën se po kërkon dënimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku pa përfunduar procesi gjyqësor.

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Rama tha se sipas tij kundërshtarët politikë po kërkojnë që Balluku të përfundojë në burg pa u zhvilluar gjyqi dhe pa u vërtetuar akuzat ndaj saj.

“Duan Ballukun në burg edhe pa u hapur dera e gjyqit,” deklaroi kryeministri.

Ai theksoi se parimi i prezumimit të pafajësisë duhet të respektohet në çdo proces hetimor dhe gjyqësor, duke e cilësuar atë si një vijë të qartë ndarëse mes drejtësisë dhe arbitraritetit.

Sipas Ramës, debati publik rreth çështjes së Ballukut ka kaluar shpesh në gjykime politike dhe mediatike përpara se të shprehet drejtësia.

Megjithatë, kryeministri shtoi se nuk po mbron personalisht Ballukun dhe se përgjegjësia për të përcaktuar fajësinë ose pafajësinë i takon institucioneve të drejtësisë.

“Unë nuk jam avokati i askujt përballë një akuze të ngritur nga prokuroria, por jam kryeministri i këtij vendi dhe duhet të mbroj parimin e prezumimit të pafajësisë,” u shpreh Rama.

Debati për çështjen e Ballukut ka rritur tensionet mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa vendimi për kërkesën e SPAK pritet të diskutohet edhe në seancën plenare të Kuvendit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related