“Fondi i emergjencave nuk është për spektakël”/ Xhemalaj nga protesta: Pensionistët zgjedhin mes bukës dhe ilaçeve, Rama jep dorëheqjen

Data

Në protestën e 39-të qytetare përpara Kryeministrisë, aktivisti Ilir Xhemalaj mbajti një fjalim ku kritikoi përdorimin e fondeve publike për financimin e koncertit të Kanye West, duke argumentuar se prioritet duhet të jenë problemet sociale dhe ekonomike të qytetarëve.

Gjatë fjalës së tij, Xhemalaj tha se fondi rezervë i shtetit duhet të përdoret për situata emergjente që prekin qytetarët dhe jo për organizimin e aktiviteteve të tjera.

“Fondi rezervë është krijuar për emergjencat e qytetarëve. A ka emergjencë më të madhe se një nënë që nuk ushqen dot fëmijën e saj? Apo një i ri që detyrohet të largohet nga vendi për bukën e gojës? Apo një pensionist që duhet të zgjedhë mes bukës dhe ilaçeve?”, u shpreh ai.

Aktivisti theksoi se protesta nuk është kundër organizimit të koncerteve, por kundër mënyrës se si, sipas tij, përdoren fondet publike.

“Ne nuk protestojmë kundër muzikës, por për gjendjen ku ndodhet vendi. Kundër një pushteti që vjedh taksat tona për spektakël. Shqipëria ka lekë, por është e vjedhur”, deklaroi Xhemalaj.

Në përfundim të fjalës, ai u bëri thirrje institucioneve që të fokusohen te problemet sociale, të mbështesin pensionistët dhe të rinjtë, ndërsa kërkoi dorëheqjen e kryeministrit.

“Prioritet duhet të jetë që të rinjtë të mos largohen nga Shqipëria dhe pensionistët të jetojnë me dinjitet. Kryeministër, jep dorëheqjen, sepse nuk përfaqëson më këtë popull”, përfundoi ai mes duartrokitjeve të protestuesve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related