Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nëse SPAK synon të luftojë korrupsionin, duhet të hetojë procesin e privatizimit të katër hidrocentraleve në vend, të cilat sipas tij iu dhanë një kompanie private gjatë qeverisjes së mëparshme.
Gjatë analizës për sektorin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, në periudhën kur drejtohej nga ish-ministrja Belinda Balluku, Rama përmendi rastin e hidrocentraleve Shkopet, Ulëz, Bistrica 1 dhe Bistrica 2.
Sipas kryeministrit, këto hidrocentrale iu transferuan një kompanie si kompensim për rimbursimin e TVSH-së që, sipas tij, nuk ishte kthyer nga qeveria e mëparshme.
“Në qoftë se duan korrupsion dhe duan të luftojnë korrupsionin, le të marrin dosjen e këtyre katër veprave që iu dhanë një kompanie si kthim TVSH-je,” u shpreh Rama.
Ai shtoi se nga periudha pas viteve të komunizmit deri në vitin 2013, sipas tij, sistemi energjetik nuk ka pasur rritje të kapaciteteve prodhuese, ndërsa akuzoi qeveritë e mëparshme për dëmtim të sistemit të shpërndarjes dhe për privatizime të diskutueshme.
Deklaratat e kryeministrit vijnë në një moment të tensionuar politik, ku debatet mes qeverisë, opozitës dhe institucioneve të drejtësisë janë intensifikuar për çështje të ndryshme që lidhen me korrupsionin dhe hetimet e SPAK.
