Mentor Çuku është emëruar zëvendësdrejtor i Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), pas përfundimit të një procesi konkurrues për këtë pozicion.
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, emërimi është bërë nga drejtori i BKH-së me pëlqimin e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, në zbatim të ligjit nr. 95/2016 për organizimin dhe funksionimin e institucioneve që luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Mandati i zëvendësdrejtorit të BKH-së është 4-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.
Për këtë post konkurruan gjithsej 11 kandidatë, të cilët plotësonin kriteret ligjore dhe profesionale të përcaktuara për këtë funksion. Sipas SPAK, kandidatët u karakterizuan nga përgatitje e lartë profesionale, përvojë në hetimin penal dhe aftësi drejtuese, çka e bëri procesin e përzgjedhjes mjaft konkurrues.
Mentor Çuku aktualisht është hetues në Byronë Kombëtare të Hetimit dhe ka një përvojë të gjatë në hetimin e veprave penale që lidhen me korrupsionin, krimin e organizuar dhe krimet e rënda.
Gjatë karrierës së tij ai është vlerësuar për integritet profesional, aftësi drejtuese dhe përkushtim në luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar.
