Në një moment kritik për drejtësinë shqiptare dhe luftën kundër korrupsionit, kryeministri Edi Rama dhe mazhoranca socialiste që drejton ka hedhur një hap të ri për të asgjësuar Prokurorinë e Posaçme (SPAK) dhe reformën në drejtësi. Plot 500 mijë euro ose 500 milionë lekë do të jetë fondi i posaçëm që do të miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë për të ndihmuar komisionin e drejtuar nga deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj, për hartimin e Legjislacionit të Reformave të Bashkëqeverisjes dhe Antikorrupsionit. Gazeta “SOT” ka siguruara listën me emrat e ekspertëve, shumica e të cilëve janë personazhe të lidhur me miliarderin Xhorxh Soros, që do të marrin deri në 8 milionë lekë në muaj, të ndarë në tre nivele të ndryshme.
Sekretariati teknik i përbërë nga 15 vetë, dhe 12 ekspertë të nivelit të tretë do të marrin për punën pranë këtij komisioni, 2.800 euro. Kryetari socialist i Komisionit Anti-Korrupsion, Fatmir Xhafaj ka parashikuar pagesë edhe për një kategori të quajtur “ekspertë të huaj”. Ata janë 23 persona dhe do të paguhen 5.600 euro. Siç duket nga specifikimi i emrave, ekspertët e huaj rezultojnë të jenë shqiptarë me banim jashtë vendit. Përfshirja e ekspertëve nga diaspora ka qenë një prej angazhimeve që ka marrë Fatmir Xhafaj në publik për hartimin e legjislacionit të posaçëm. Por ky vendim ka ngritur shqetësime të mëdha për ndikimin e mundshëm të këtyre individëve të lidhur me Sorosin në zhvillimet e drejtësisë në Shqipëri, duke i dhënë mundësi kryeministrit Rama që të minojnë institucionet kyçe si SPAK dhe procesin e Reformës në Drejtësi.
