Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në bashkëpunim me Drejtorinë Distriktuale Antimafia të Barit, ka zhvilluar një operacion të gjerë ndërkombëtar kundër një grupi të strukturuar kriminal të përfshirë në trafik droge, pastrim parash dhe vrasje.
Operacioni u realizua në kuadër të një skuadre të përbashkët hetimore me mbështetjen e Eurojust, ndërsa hetimet nisën pas zbardhjes së vrasjes së 26-vjeçarit italian Francesco Diviesti, ngjarje e ndodhur në prill të vitit 2025 në jug të Italisë.
Sipas SPAK, hetimet zbuluan ekzistencën e një organizate kriminale të drejtuar nga Igli Kamberi, e cila operonte mes Shqipërisë dhe Italisë në trafikimin ndërkombëtar të drogës dhe pastrimin e parave.
Në kuadër të operacionit, Gjykata e Posaçme në Shqipëri ka lëshuar 10 masa sigurie, ndërsa autoritetet italiane edhe 5 të tjera. Në total janë 15 persona nën masa sigurie, ku 11 janë shtetas shqiptarë dhe 4 italianë.
Operacioni është shtrirë në disa qytete të Shqipërisë dhe Europës, përfshirë Tiranën, Fierin, Vlorën, Barletën, Romën, Agnanin dhe Madridin.
SPAK bëri të ditur se grupi akuzohet për:
- vrasje me paramendim,
- trafik ndërkombëtar droge,
- pastrim parash,
- posedim armësh,
- tentativë zhvatjeje,
- favorizim të autorëve të krimit.
Sipas hetimeve italiane, Francesco Diviesti u vra më 25 prill 2025 pas një konflikti në një lokal në Barletta. Ai u qëllua me armë zjarri dhe më pas trupi i tij u dogj në një zonë të izoluar në Canosa di Puglia.
Autoritetet italiane identifikuan si autor kryesor një shtetas shqiptar, i arrestuar më vonë në Hungari me 24 kilogramë kokainë të pastër.
Gjatë hetimeve u sekuestruan mbi 412 mijë euro cash, ndërsa GJKKO ka urdhëruar sekuestrimin e:
- 4 kompanive,
- 8 automjeteve,
- 10 llogarive bankare,
- dhe mbi 680 mijë eurove.
SPAK thekson se operacioni është pjesë e një hetimi shumëvjeçar mes autoriteteve shqiptare dhe italiane kundër organizatave kriminale shqiptare të përfshira në trafikun ndërkombëtar të kokainës dhe heroinës.
