Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja tragjike e ndodhur në Durrës, ku 54-vjeçari Astrit Hysenaj humbi jetën si pasojë e motit të keq dhe përmbytjeve.
Sipas burimeve, Astrit Hysenaj, punonjës i Ndërmarrjes Komunale Plazh, ishte zhdukur pa gjurmë që prej datës 6 janar 2026. Ai ishte paraqitur normalisht në vendin e punës në orën 06:00 dhe kishte ushtruar detyrën deri rreth orës 10:30, moment kur ishte larguar nga ambientet e punës.
Pasi ai nuk ishte kthyer në banesë, familjarët kanë kontaktuar përgjegjësin e ndërmarrjes ku punonte, i cili i ka informuar se Astriti ishte larguar nga puna në orën 10:30. Menjëherë pas kësaj, familjarët kanë njoftuar Policinë për zhdukjen e tij.
Pas kërkimeve intensive nga shërbimet e Policisë dhe polumbarët, trupi i pajetë i 54-vjeçarit u gjet në një kanal kullues në qytetin e Durrësit. Paraprakisht dyshohet se ai është marrë nga rrjedha e ujit gjatë përmbytjeve.
Ngjarja ka tronditur familjarët, kolegët dhe komunitetin, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e humbjes së jetës së tij, duke e konsideruar Astrit Hysenajn një punonjës që ra në krye të detyrës.
