Tedi Blushi sulmon trajtimin e Ilir Meta në gjyq: “Kafazi i xhamtë është mjet torture, jo drejtësi”

Data

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar ashpër lidhur me mënyrën se si po zhvillohen seancat gjyqësore ndaj ish-presidentit Ilir Meta, duke e cilësuar mbajtjen e tij në kafaz xhami si “mjet torture”.

Në deklaratën e tij, Blushi i kërkon Gjykatës së Posaçme që Meta të nxirret jashtë kabinës së qelqtë gjatë gjykimit dhe që seancat të transmetohen drejtpërdrejt për publikun, në emër të transparencës.

Sipas tij, kjo praktikë përbën shkelje të rëndë të legjislacionit vendas dhe të standardeve ndërkombëtare, përfshirë Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Blushi argumenton se përdorimi i kafazit nuk parashikohet si masë standarde në ligjin shqiptar për trajtimin e të paraburgosurve dhe bie në kundërshtim me jurisprudencën europiane, e cila e konsideron një praktikë të tillë si trajtim poshtërues.

Ai shton se kjo situatë cenon edhe parimin e prezumimit të pafajësisë dhe pengon komunikimin normal të të pandehurit me mbrojtjen, duke rrezikuar një proces të rregullt ligjor.

Në fund të reagimit, Blushi thekson se standarde të tilla janë respektuar edhe në periudha të vështira të historisë së vendit dhe se, sipas tij, ato nuk mund të mohohen në një sistem drejtësie modern.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related