Qeveria ka miratuar ndryshime në ligjin për tatimin mbi të ardhurat, duke parashikuar përjashtimin nga tatimi në Shqipëri të të ardhurave që qytetarët shqiptarë apo rezidentët sigurojnë jashtë vendit.
Sipas ministres së Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, kjo nismë synon të forcojë lidhjet me diasporën dhe të nxisë kthimin e investimeve në vend, veçanërisht për pensionistët që jetojnë jashtë.
Në të njëjtën mbledhje është miratuar edhe projekti “Porta e Alpeve” në qarkun e Shkodrës, me një vlerë totale prej 100 milionë euro, i financuar nga Banka Evropiane e Investimeve dhe buxheti i shtetit. Projekti përfshin rikonstruksion urban, zhvillim hapësirash publike dhe qendra multifunksionale.
Gjithashtu, qeveria ka miratuar vendime për zhvillimin e industrisë ushtarake, duke autorizuar kompaninë shtetërore KAYO të negociojë për prodhimin e mjeteve lundruese dhe dronëve ushtarakë.
Ndër vendimet e tjera, u miratua dyfishimi i pagesës për mësuesit që zhvillojnë aktivitete pas orarit mësimor, si dhe një program kombëtar për ndërtimin e parkimeve në zonat urbane dhe turistike.
