Deputeti i opozitës, Saimir Korreshi, ka denoncuar situatën e rrezikshme në të ashtuquajturin “Kryqëzimi i Vdekjes” në zonën “Pushimi i Shoferit” pranë Lushnje, ku prej vitesh ndodhin aksidente me pasoja fatale.
Sipas tij, problemi ka një zgjidhje të thjeshtë dhe të menjëhershme: një mbikalim i ndërtuar vetëm disa qindra metra larg, i cili ka mbetur i papërfunduar prej rreth dy dekadash. Korreshi thekson se mjafton ndërtimi i rrugëve lidhëse prej rreth 200 metrash në secilin krah për ta bërë funksional dhe për të shmangur rrezikun.
Ai kritikoi ndërhyrjet e mëparshme, duke përmendur se një zgjidhje e përkohshme për mbylljen e aksit ka krijuar vështirësi për banorët dhe drejtuesit e mjeteve, duke i detyruar të përshkojnë distanca më të gjata.
Deputeti apeloi ndaj autoriteteve që të ndërhyjnë sa më shpejt, duke theksuar se një investim minimal mund të shpëtojë jetë dhe të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin në këtë arterie të rëndësishme drejt jugut të vendit.
Sipas tij, infrastruktura ekzistuese është gati dhe kërkon vetëm ndërhyrje të vogla për t’u vënë në funksion, ndërsa vonesat e deritanishme kanë kushtuar me jetë njerëzish dhe probleme të vazhdueshme në trafik.
