Qeveria i rrëmben qytetit të drejtën për të vendosur: Një tjetër grusht ndaj pushtetit vendor

Data

Nga sot, kryetarët e bashkive nuk do të kenë më të drejtën të japin leje ndërtimi për pallate mbi 6 kate. Me një vendim të ri autoritar, qeveria e ka centralizuar plotësisht vendimmarrjen urbane, duke ia rezervuar këtë kompetencë vetëm vetes – konkretisht Këshillit Kombëtar të Territorit, një strukturë që funksionon de facto si një zyrë teknike e Kryeministrit.

Kjo është më shumë se një reformë urbane. Ky është një puç institucional, një tjetër hap për të shkatërruar autonominë vendore dhe për të kthyer qytetet në zgjatime të një zyre të vetme në Tiranë. Mjaft më me retorikën e decentralizimit! Kjo është qeverisje me dorë të hekurt, që zhduk çdo balancë pushtetesh dhe shkel me këmbë çdo sens të vetëqeverisjes lokale.

Në vend të decentralizimit, kapje totale

Qeveria nuk ka më as turp, as përpjekje për të mbuluar kapjen. Me këtë vendim, ajo dërgon një mesazh të qartë: vetëm qendra vendos, vetëm kryeministri urdhëron, vetëm një njeri firmos. Aty ku dikur qytetarët mund t’i drejtoheshin pushtetit vendor për të diskutuar zhvillimin urban të komunitetit të tyre, tani do përballen me një mur betoni – një burokraci qendrore e mbyllur, e padëgjueshme dhe e padukshme.

Kjo nuk është për të ndalur abuzimet me ndërtimet – përkundrazi. Kjo është për të përqendruar abuzimin, për ta bërë më të lehtë kontrollin nga një qendër e vetme dhe për të ndarë lejet e ndërtimit vetëm me ata që kanë akses direkt te kryeministri.

Legalizim me ligj i shkatërrimeve urbane

Por nuk mjafton me kaq. Në të njëjtin akt qeveritar, janë miratuar edhe ndalime të reja për përdorimin e hapësirave publike dhe pronave private me servitut publik. E thënë ndryshe: qeveria ka shkruar në letër të drejtën për të shembur çfarë t’i dojë qejfi, pa transparencë, pa dialog me qytetarët, pa respekt për pronën dhe as për ligjin.

Po të hedhim një sy te shembjet e fundit në Tiranë dhe qytete të tjera, e kuptojmë qartë se kjo vendimmarrje nuk është preventive – është justifikuese. Qeveria nuk ka qëllim të ndalë shkatërrimin, por të krijojë një mbulesë ligjore për të. Një legalizim i abuzimeve të kryera dhe atyre që do të vijnë.

Në emër të zhvillimit, po zhbëhet demokracia

Ka vite që pushteti vendor në Shqipëri është bërë një kukull e madhe me fytyrë dekorative. Por me këtë vendim, ai zhvishet edhe nga roli më minimal që kishte: të kujdesej për ndërtimin dhe zhvillimin e territorit që i takon. Kjo nuk është reformë territoriale, kjo është përqendrim absolut i pushtetit në duart e një njeriu të vetëm, që tashmë nuk i mjafton Parlamenti, Drejtësia, Mediat – por do edhe trotuaret, pallatet dhe lejet e ndërtimit të çdo qyteti.

Kjo është qeverisje me model neootoman, ku kryetari vendos për të gjithë. E gjitha në emër të zhvillimit, por zhvillimi është vetëm për klientët, oligarkët dhe servilët.

Ky vendim duhet të na alarmojë të gjithëve

Sepse sot është ndërtimi, nesër mund të jetë toka, shërbimet, tregtia, uji, energjia, shkollat, gjithçka. Çdo prerje kompetencash nga pushteti vendor është prerje e një të drejte qytetare. Në një vend ku demokracia funksionon vetëm në fjalime, ky është një kërcënim real për qytetarët dhe komunitetet lokale.

Qeveria nuk po reformon Shqipërinë – po e betonizon për vete.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related