Viti 2025, një vit zgjedhor, u shoqërua me një valë premtimesh ambicioze nga qeveria, por në mbyllje të tij bilanci nxjerr në pah projekte të papërfunduara, afate të shtyra dhe pritshmëri të pambajtura. Nga infrastruktura te shërbimet bazë dhe emergjencat civile, shumë zotime mbetën në nivel propagande.
Treni elektrik që s’u nis kurrë
I prezantuar prej vitesh si simbol modernizimi, treni elektrik Tiranë–Durrës–Rinas mbetet ende një kantier i hapur. Afatet janë shkelur disa herë dhe tashmë operimi është shtyrë për në fund të vitit 2026.
Aeroporti i Vlorës pa fluturime
Pavarësisht premtimeve se do të niste punën brenda vitit 2025, aeroporti i Vlorës realizoi vetëm një fluturim testues në maj. Asnjë fluturim komercial nuk u zhvillua deri në fund të vitit.
Nafta e Shpiragut, premtimi që u shua
Zbulimi i naftës u shpall si epokë e re ekonomike, por testimet rezultuan zhgënjyese. Planet për fond sovran dhe përfitime afatgjata mbetën në letër.
24 orë ujë të pijshëm
Një premtim i përsëritur prej më shumë se një dekade. Edhe në 2025, furnizimi me ujë 24 orë nuk u realizua, ndërsa afati i ri u shty për në vitin 2030.
Shqipëria pa avionë zjarrfikës
Premtimi për dy avionë zjarrfikës rezultoi i pambajtur. Vendi u përball me një sezon dramatik zjarresh dhe u mbështet vetëm te ndihma e huaj.
Dëmshpërblimet për zonat e djegura
Banorët e zonave të prekura nga zjarret në Gramsh dhe Delvinë vijojnë të presin dëmshpërblimet, pasi procesi i inventarizimit nuk u mbyll as në fund të vitit.
450 shkolla të reja, shifër propagandistike
Pretendimi për 450 shkolla të ndërtuara u rrëzua nga faktet, që tregojnë se janë rindërtuar ose zgjeruar vetëm dhjetëra institucione, jo qindra.
Rindërtimi pas tërmetit që zvarritet
Gjashtë vite pas tërmetit, qindra familje ende presin banesat. Edhe pse fondet janë shpenzuar, procesi në terren nuk ka përfunduar.
“Flamuri Blu” për plazhet
Premtimi për standarde europiane të ujërave bregdetare nuk u përmbush. Shqipëria renditet ndër vendet e fundit për cilësinë e ujërave larëse.
Legalizimet pa fund
Një tjetër premtim i ricikluar në çdo fushatë. Procesi vijon të zvarritet, me mijëra dosje të hapura dhe qytetarë në pritje.
Bilanci i vitit
Nga dhjetëra premtime të verifikuara gjatë vitit 2025, shumica rezultuan të pambajtura ose të realizuara vetëm pjesërisht. Hendeku mes deklaratave politike dhe realitetit mbetet i thellë, duke e kthyer vitin zgjedhor në një vit zhgënjimi për qytetarët.
