Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u zhvillua sot seanca paraprake për ish-presidentin dhe aktualisht kryetar partie, ku duhej të përcaktohej nëse çështja do t’i kalonte fazës së gjykimit apo do të kthehej për hetime të mëtejshme.
Pas shqyrtimit, gjykata vendosi që seanca të shtyhet për datën 22 dhjetor, ndërsa urdhëroi prokurorinë e posaçme të dorëzojë fashikujt e plotë të dosjes brenda një jave.
Gjatë seancës, i pandehuri kërkoi të njihej me materialet e hetimit, duke kërkuar vendosjen në dispozicion të gjithë fashikullit.
Mbrojtja deklaroi se ai do të jetë i pranishëm në çdo seancë gjyqësore, ndërsa rikujtoi kërkesën e bërë që ai të mos mbahet në “kafazin” e sigurisë në sallën e gjyqit, duke e konsideruar këtë praktikë si shkelje të të drejtave kushtetuese dhe të drejtave të njeriut. Në kërkesën drejtuar gjykatës theksohej se, nëse kjo nuk merret në konsideratë, palët nuk do të marrin pjesë në seancat e ardhshme.
