Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) ka futur në ankth pushtetarët e lartë të qeverisë. Operacionet hetimore kanë hyrë thellë në zemër të kupolës qeverisëse, duke vendosur në fokus dy nga figurat më të njohura të Rilindjes: zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku njëherazi ish-nënkryetar i Bashkisë së Tiranës dhe pjesë kyçe e piramidës politike dhe financiare të qeverisë Rama. Burime bëjnë me dije se agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë kryer kontrolle të imtësishme në banesat e tyre, duke bastisur dhe shqyrtuar pasuritë e pajustifikuara, mallrat e luksit, objektet me vlerë të lartë dhe çdo dokument që mund të zbulojë lidhje me aferat që po hetohen.
Hetimet ndaj Maznikut
Si fillim hetimet ndaj Maznikut janë përqëndruar në dyshimet për shpërdorim detyre gjatë ushtrimit të funksioneve në Bashkinë e Tiranës. Për këto çështje ai u mor në pyetje nga oficerët e BKH, në kohën kur plasën denoncimet e opozitës për aferat e drejtorëve të Bashkisë së Tiranës. Por tre muaj përpara zgjedhjeve parlamentare, oficerët e BKH kanë shkuar më tej, duke u paraqitur me një mandat kontrolli në banesën e tij, me synim sekuestrimin e provave të mundshme. Nuk dihen ende detajet konkrete të provave që janë sekuestruar, por hetimet për Maznikun raportohet se janë në dy drejtime. Një pjesë lidhet me një procedurë tenderuese të dyshuar si fiktive për rikonstruksionin e rrugës “Xhon Belushi” në zonën e Freskut, gjatë kohës kur Mazniku mbante postin e nënkryetarit të bashkisë. Mbi këtë çështje, ai është marrë tashmë në pyetje.
