Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka dërguar një mesazh të drejtpërdrejtë ndaj drejtuesve të PD-së, Sali Berishës dhe Flamur Nokës, duke i ftuar që të hapin hapësirat për demokratët që, sipas tij, janë të gatshëm për përballje politike me qeverinë.
Gjatë fjalës së tij, Salianji theksoi se Partia Demokratike duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe t’u gjejë vend të gjithëve brenda strukturave të saj, duke kundërshtuar pretendimet se mungojnë njerëzit në takimet e opozitës.
“Ne duhet t’i gjejmë gjithsecilit pozicionin në PD. Dhe kur qajnë se nuk ka njerëz në salla, hapni krahun miq, se ja ku janë demokratët dhe le ta marrin përpara qeverinë”, u shpreh Salianji.
Ai pranoi se opozita ka qenë e vonuar në reagimin e saj politik, duke theksuar se për 13 vite Partia Demokratike ka humbur zgjedhje pa reaguar mjaftueshëm, por sipas tij kjo nuk do të thotë se demokratët janë dorëzuar.
“Demokratët nuk janë mësuar ta mbajnë kokën ulur. Ata duhet ta mbajnë kokën lart. Ne kemi pasur 500 mijë mbështetës dhe sot janë edhe më shumë”, deklaroi ai.
Salianji hodhi poshtë pretendimet se opozitarët kanë frikë nga regjimi, duke theksuar se sallat e takimeve janë të mbushura dhe se interesi kryesor i tij mbetet rrëzimi i kryeministrit Edi Rama.
“Jam rritur në këtë parti. Nuk ka interes më të madh për mua se rrëzimi i Ramës. Nuk mund të thuhet se jemi problem për PD ne që e kemi mundur Ramën, ndërkohë që të tjerë dërrmohen prej tij në çdo palë zgjedhje”, tha Salianji.
Ai shtoi se Partia Demokratike ka ende forcën për të fituar zgjedhjet dhe se opozita tashmë ka gjetur mekanizmin për të rrëzuar qeverinë sa më shpejt të jetë e mundur. Sipas tij, nevojitet një retorikë e re politike, më afër qytetarëve dhe problemeve reale të tyre.
Në përfundim, Salianji u shpreh se prania e mbështetësve në takim ishte dëshmi se ende ka demokratë dhe qytetarë që nuk dorëzohen dhe nuk e pranojnë degradimin politik të vendit.
