“Më pak se gjuetarët e Korçës”, Salianji ironizon foltoren e PD-së: Demokratët sot nuk po mobilizohen si duhet

Data

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka ironizuar ashpër organizimin e protestave dhe takimeve të fundit të PD-së, duke deklaruar se sot partia po mbledh më pak qytetarë para Kryeministrisë sesa Shoqata e Gjuetarëve të Korçës arriti të mobilizojë në vitin 2021.

Duke folur në një takim me demokratët në Korçë, Salianji solli si shembull një protestë të zhvilluar tre vite më parë kundër moratoriumit të gjuetisë, kur sipas tij, një shoqatë jo-politike arriti të grumbullojë më shumë njerëz sesa opozita sot në protestat kombëtare.

“Në vitin 2021 kërkova një takim me Shoqatën e Gjuetisë në Korçë. Ata kishin shqetësim moratoriumin dhe më thanë se nuk donin ndihmë nga partitë, por vetëm heqjen e ligjit në Parlament. Dega e PD-së e organizoi protestën dhe ata mblodhën 200 veta”, tha Salianji.

Ai kritikoi faktin se sot Partia Demokratike nuk reflekton për këtë situatë, pavarësisht se ka qindra mijëra mbështetës dhe një pakënaqësi të gjerë qytetare ndaj qeverisë.

“PD sot nuk e kupton pse mbledh tre herë më pak njerëz para Kryeministrisë sesa një shoqatë gjuetarësh. Kjo ndodh ndërkohë që ka 500 mijë votues dhe mijëra qytetarë të tjerë që janë kundër qeverisë së Edi Ramës”, u shpreh ai.

Salianji hodhi poshtë edhe argumentin se demokratët kanë frikë nga regjimi, duke theksuar se opozitarët shqiptarë nuk janë trembur as në periudha shumë më të vështira.

“Demokratët nuk kanë pasur frikë nga regjime që vrisnin. Sot nuk mund të justifikohemi me frikë. Sallat janë plot në qytete, siç e shihni edhe këtu”, përfundoi Salianji.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related