Produkti që shkaktoi helmimin e 17 fëmijëve në kopshtin shtetëror të qytetit të Gramshit ka qenë veza, e cila ka qenë e kontaminuar me salmonelë
Kjo u vërtetua nga analizat e fundit të bëra nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), teksa nga analizat e mëparshme të kryera në qumësht dhe mishin e pulës, rezultatet ishin negative.

Episodi i helmimit masiv ka ndodhur të martën (20 Maj), por ngjarja u mbajt e fshehtë nga institucionet shëndetësore, vendore dhe Policia, të cilat prej rreth një jave nuk kishin nisur hetim për rastin në fjalë. Ngjarja u mësua mesditën e së shtunës nga një familjar, i cili denoncoi publikisht helmimin e nipit të tij, duke publikuar dhe fletën e analizave, ku mjekja Dafina Jaho konfirmoi praninë e bakterit salmonelë.
Por, edhe pasi u konfirmua nga analizat, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), institucuion që drejtohet nga drejtori i komanduar Manush Kulolli, po mban të fshehtë për qytetarët emrin e kompanisë që ka hedhur në treg vezët e kontaminuara me salmonelë. Kjo përbën një rrezik, pasi vezët me salmonelë mund të shiten aktualisht në supermarkete dhe të konsumohen nga qytetarët.
