Instituti i Gjeoshkencave bën me dije se gjatë ditës së nesërme vendi do të përfshihet nga përkeqësim i kushteve atmosferike, me reshje dëbore në zonat Verilindore, Lindore dhe Juglindore.
Sipas parashikimit, reshjet do të shoqërohen me ulje të ndjeshme të temperaturave, duke sjellë ngrica që mund të krijojnë vështirësi në qarkullimin rrugor, veçanërisht në zonat malore.
Në qarkun Shkodër priten reshje intensive, ndërsa në disa qarqe të tjera – Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Elbasan, Fier, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër – parashikohen shtrëngata me intensitet të lartë. Këto kushte mund të sjellin probleme si rënie gurësh dhe inertesh, si dhe vërshime të ujit në zona urbane, në varësi të sistemit të kanalizimeve.
Temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të jenë:
- Bregdeti: 10 / 14 °C
- Zonat e ulëta: 9 / 14 °C
- Zonat malore: -1 / 10 °C
Reshjet intensive kanë nisur që mbrëmjen e sotme në disa zona të vendit. Në Qafë Thore po punojnë borëpastruese për të mbajtur të hapur aksin rrugor pas dëborës së rënë gjatë orëve të fundit.
