Putini zotohet: Nuk do të ketë më luftëra pas Ukrainës nëse Perëndimi e trajton Rusinë me respekt

Data

Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se Rusia nuk do të ndërmarrë më veprime ushtarake pas luftës në Ukrainë, nëse Perëndimi respekton interesat e Moskës. Ai i cilësoi si “marrëzi” pretendimet se Rusia po planifikon të sulmojë vendet evropiane.

Deklaratat u bënë gjatë një interviste televizive maratonë, e cila zgjati rreth katër orë e gjysmë dhe u transmetua drejtpërdrejt në të gjithë Rusinë. I pyetur nëse pas Ukrainës mund të ketë “operacione të reja ushtarake speciale”, Putin u përgjigj prerazi se kjo nuk do të ndodhë, për sa kohë Rusia trajtohet me respekt dhe merren parasysh interesat e saj strategjike.

Sipas tij, kushti kryesor për shmangien e konflikteve të reja është që Perëndimi të mos “mashtronte” më Rusinë, duke iu referuar zgjerimit të NATO drejt lindjes. Putin përsëriti akuzën e tij të vjetër se Aleanca ka shkelur premtime të dhëna në fillim të viteve ’90, edhe pse këto pretendime janë mohuar më herët nga figura kyçe të asaj kohe.

Presidenti rus hodhi poshtë kategorikisht idenë e një sulmi ndaj Evropës, duke theksuar se narrativa e kërcënimit rus përdoret, sipas tij, për arsye të brendshme politike nga udhëheqësit perëndimorë. Ai shtoi se Rusia kërkon vetëm garanci sigurie dhe respekt të ndërsjellë në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Intervista u zhvillua në kuadër të maratonës vjetore “Linja Direkte”, ku Putin iu përgjigj pyetjeve të qytetarëve dhe mediave nga e gjithë Rusia. Në sfond, në sallë ishte vendosur një hartë e madhe e Rusisë që përfshinte edhe territore të pushtuara në Ukrainë, përfshirë Krimenë, të aneksuar nga Moska në vitin 2014.

Autoritetet ruse pohuan se gjatë transmetimit u dërguan mbi tre milionë pyetje nga qytetarët. Megjithatë, vetëm disa orë pas përfundimit të intervistës, autoritetet ukrainase raportuan për viktima civile si pasojë e sulmeve ruse me raketa në jug të Ukraines duke rikujtuar se lufta e nisur në shkurt të vitit 2022 vijon ende me intensitet.

Deklaratat e Putinit vijnë në një moment kritik për marrëdhëniet mes Rusisë dhe Perëndimit, ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon të mbetet pika më e nxehtë e përplasjes gjeopolitike në Evropë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related