Kryepeshkopi Anastas Janullatos, i cili u transferua dje nga Tirana në spitalin “Evangelismos” në Athinë me një avion të Forcave Ajrore të Greqisë, po kalon një moment të vështirë, pas përkeqësimit shëndetësor.
Kryepeshkopi 95-vjeçar, i cili kishte shfaqur simptoma të virusit ditët e fundit, u shtrua fillimisht në një spital privat në kryeqytet. Megjithatë, gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua, gjë që solli vendimin për transferimin e tij në Greqi për të marrë kujdes të specializuar mjekësor. Transporti ajror u krye me një avion C-27 të Forcave Ajrore, ndërsa në krah të Kryepeshkopit ndodheshin një mjek dhe dy anëtarë të ekipit të personelit mjekësor fluturues të EKAV-së.
