Rusia po shqyrton mundësinë e devijimit të një pjese të furnizimeve me gaz të lëngshëm nga Evropa drejt tregjeve aziatike, në një lëvizje që mund të ndikojë ndjeshëm në tregjet energjetike globale.
Zëvendëskryeministri rus për çështjet e energjisë, Alexander Novak, deklaroi në Moskë se kompanitë ruse të energjisë po orientohen gjithnjë e më shumë drejt tregjeve të Lindjes, me udhëzim të presidentit Vladimir Putin.
Sipas Novak, kompanitë ruse nuk mund të përballojnë sanksione të reja nga Bashkimi Evropian dhe për këtë arsye po kërkojnë tregje alternative për eksportet e gazit.
Ai përmendi Indinë, Tajlandën, Filipinet dhe Kinën si partnerë të mundshëm për kontrata afatgjata energjetike.
Deklaratat vijnë në një moment kur çmimet e gazit dhe energjisë në tregjet ndërkombëtare janë rritur ndjeshëm për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme dhe luftës me Iranin.
Situata është komplikuar edhe nga kufizimet në trafikun detar në Gjirin Persik, një nga zonat më të rëndësishme për transportin global të energjisë.
Presidenti rus Vladimir Putin la të kuptohej për këtë ndryshim strategjik në një intervistë për televizionin shtetëror, duke deklaruar se mund të jetë më e leverdishme të ndërpriten furnizimet me gaz drejt Evropës.
“Meqenëse tani po hapen tregje të reja, mund të jetë më mirë të ndalen menjëherë furnizimet në Evropë”, u shpreh ai.
Sipas Novak, qeveria ruse tashmë ka nisur bisedimet me kompanitë energjetike për të ridrejtuar një pjesë të gazit të lëngshëm që aktualisht shkon në tregjet evropiane drejt vendeve të tjera.
Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Bashkimit Evropian mbeten të tensionuara që prej nisjes së luftës në Ukrainë në vitin 2022, ndërsa BE ka vendosur sanksione të shumta ndaj Moskës.
Megjithatë, pavarësisht sanksioneve, Evropa vazhdoi të importojë gaz natyror të lëngshëm nga Rusia me vlerë rreth 7.4 miliardë euro gjatë vitit të kaluar.
