Avokati i Popullit publikoi dje renditjen e kandidatëve të kualifikuar për plotësimin e vakancave në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, nga radhët e shoqërisë civile. Lista do t’i dërgohet Kuvendit. Në një njoftim për mediet, Avokati i Popullit bën të ditur se sot është zhvilluar mbledhja e Komisionit Ad-hoc për verifikimin dhe vlerësimin paraprak të kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, nga radhët e shoqërisë civile. “Pjesëmarrësit në mbledhje ishin, Gentian Sejrani, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit, z. Rigels Xhemollari, në cilësinë e Sekretarit të Komisionit si dhe anëtari, z. Arbër Ademi. Ndërkohë, që dy anëtarët tjerë të Komisionit, Eduart Mazi dhe Ada Ilia nuk ishte prezent në mbledhje. Të pranishëm në mbledhje, me statusin e vëzhguesit ishin gjithashtu përfaqësuesit nga misioni EU4Justice dhe OSCE Shqipëri. Në këtë mbledhje u zhvilluan seancat dëgjimore me dy kandidatët e kualifikuar sa i përket kritereve formale nga vendimet e Gjykatës Administrative të Apelit, Lefterie Lleshi dhe Altin Shegani”, thuhet në njoftim. “Në këtë seancë dëgjimore anëtarët e Komisionit dëgjuan platformat e kandidatëve dhe realizuan pyetje për të vlerësuar kriteret profesionale morale, bazuar në rregulloren e Komisionit. Pas zhvillimit të seancave dëgjimore, Komisioni i Shoqërisë Civile, vlerësoi me pikë kandidatët e kualifikuar dhe shpalli renditjen si më poshtë:
Kandidatët për Këshillin e Lartë Gjyqësor nga radhët e shoqërisë civile:
Vendi i parë: Altin Shegani
Vendi i dytë: Erion Fejzulla
Vendi i tretë: Altin Hazizaj
Vendi i katërt: Juelda Lamçe
Vendi i pestë: Lefterie Lleshi
Vendi i gjashtë: Violanda Theodhori
Kandidatët për Këshillin e Lartë të Prokurorisë nga radhët e shoqërisë civile:
Vendi i parë: Altin Shegani
Vendi i dytë: Erion Fejzulla
Vendi i tretë: Altin Hazizaj
Vendi i katërt: Juelda Lamçe
Vendi i pestë: Lefterie Lleshi
Në përputhje me ligjin nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar, Kryetari i Komisionit të Shoqërisë Civile do t’i përcjellë Kuvendit të Shqipërisë listën me emrat e renditur të kandidatëve së bashku me raportin e vlerësimit. Me realizimin e kësaj procedure, konsiderohet e përfunduar detyra e Komisionit të Shoqërisë Civile në lidhje me procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për anëtar të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, nga radhët e shoqërisë civile”, përfundon njoftimi.
