Partia Socialiste ka vendosur të prishë marrëveshjen me Partinë Demokratike për bashkëdrejtimin e Komisionit të Reformës Territoriale, duke synuar marrjen e kontrollit të plotë mbi këtë proces.
Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, deklaroi se nëse deputetët e Partisë Demokratike nuk marrin pjesë në mbledhjen e Komisionit të Posaçëm të Reformës Territoriale, mazhoranca do të përdorë mekanizma zhbllokues në Kuvend për të vijuar punimet.
Sipas Ballës, bojkoti i opozitës nuk mund të pengojë procesin dhe paralajmëroi ndryshime në përbërjen dhe drejtimin e komisionit. Socialistët kërkojnë rritjen e numrit të anëtarëve nga 16 në 17, ku një anëtar shtesë do t’i përkasë PS-së, si dhe heqjen e bashkëkryesimit. Sipas propozimit, komisioni do të drejtohet nga një kryetar i PS-së dhe një nënkryetar nga PD-ja.
Balla foli gjithashtu për çështjen e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke theksuar se Këshilli i Mandateve nuk do të mblidhet derisa Gjykata Kushtetuese të dalë me një vendim përfundimtar.
Ky zhvillim thellon përplasjen politike mes mazhorancës dhe opozitës dhe rrezikon ta kthejë Reformën Territoriale në një proces të njëanshëm, pa konsensus politik në Kuvend.
