PD “braktis” Komisionin e Reformës Territoriale, Bujar Leskaj kundër vendimit: Po bëni gabim

Data

Deputeti i Partisë Demokratike, Bujar Leskaj, ka dalë hapur kundër vendimit të PD-së për të mos marrë pjesë në mbledhjet e Komisionit të Posaçëm të Reformës Territoriale, duke e cilësuar këtë qëndrim si një gabim politik me pasoja.

Në një reagim të gjatë në rrjetet sociale, Leskaj thekson se Reforma Administrativo-Territoriale e vitit 2014 ka dështuar dhe nuk ka prodhuar asnjë rezultat pozitiv për qeverisjen vendore dhe qytetarët. Sipas tij, pikërisht për këtë arsye, Partia Demokratike ka detyrimin politik dhe moral të qëndrojë në komision dhe të shkojë deri në fund me rishikimin e reformës.

Leskaj paralajmëron se bojkotimi i komisionit i jep mazhorancës mundësinë ta deformojë edhe më tej reformën territoriale, duke e kthyer atë në një proces të njëanshëm dhe në funksion elektoral. “Gabimi i dytë është gjithmonë më i madh se i pari”, shprehet deputeti demokrat.

Ai nënvizon se rishikimi i reformës duhet të bëhet me konsensus politik, në përputhje me Kartën Europiane të Autonomisë Vendore dhe mbi baza profesionale, duke garantuar decentralizimin, autonominë financiare të pushtetit vendor dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.

Sipas Leskajt, PD ka një produkt të vetin për reformën territoriale, të ndërtuar ndër vite, me propozime konkrete për rikonfigurimin administrativo-territorial, dhe largimi nga komisioni rrezikon që ky draft të mbetet jashtë procesit vendimmarrës.

Deputeti thekson se Partia Demokratike është zotuar publikisht për rishikimin e reformës territoriale në programet elektorale dhe se largimi nga Komisioni i Reformës Territoriale bie ndesh me këtë angazhim ndaj qytetarëve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related