Apeli i Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar për ditën e nesërme, më 3 shkurt, seancën për shqyrtimin e ankimit të ish-drejtoreshës së AKSH-it, Mirlinda Karçanaj, lidhur me masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, të vendosur më herët nga GJKKO.
Seanca do të mbahet në orën 11:00. Ankime ndaj masave të sigurisë kanë paraqitur gjithashtu edhe zv.drejtoresha e AKSH-it, Hava Delibashi, si dhe ish-zv.drejtori i Policisë së Tiranës, Erion Ismaili.
Gjykata e Apelit do të shqyrtojë edhe ankimet e tre biznesmenëve, Andis Papa, Gezim Hoxha dhe Rogers Rryta, të cilët ndodhen nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Sipas SPAK, Mirlinda Karçanaj dyshohet për kryerjen e veprës penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande publike”, e kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, në bashkëpunim me Hava Delibashin dhe persona të tjerë.
Për të njëjtën dosje, SPAK ka shpallur në kërkim edhe biznesmenët Ermal Beqiri dhe Ergys Agasi.
