Komisioni parlamentar për Edukimin dhe Mediat paralajmëroi ditën e djeshme se do të ndërmarrë procedura për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar nëse ky këshill refuzon kërkesën e këtij komisioni për të ndërprerë procesin e përzgjedhjes së drejtorit të ri të RTSH-së. Anëtarët e opozitës dhe të mazhorancës u bënë bashkë në këtë paralajmërim dhe miratuan një shkresë drejtuar këtij këshilli, ku i kërkohet të ndërpresë procesin e përzgjedhjes me argumentin se po ndiqen procedura jashtëligjore dhe i kërkuan paraqitjen urgjente të enjten para komisionit për të dhënë llogari.
“Nëse nuk ndërpritet procesi i përzgjedhjes së drejtorit të ri të fillojmë procedurat për shkarkimin e anëtarëve të këshillit”, tha kryetarja opozitare e komisionit Ina Zhupa duke shtuar se “ne i emërojmë i zgjedhim dhe ne mund t’i shkarkojmë”. Sipas saj ky është paralajmërim që mund të bëjë çdo institucion që ka në mbikëqyrje një institucion tjetër. “Jemi dakord, të përfshijmë në shkresë edhe faktin që këtë detyrim që i japim për të ndërprerë procesin, nëse nuk e zbatojnë, ne pala e opozitës (do të kërkojmë shkarkimin e tyre nga këshilli drejtues).
T’ia vendosim që nëse nuk zbatojnë këtë kërkesë të komisionit ne do të jemi të detyruar të vazhdojmë me procedurën parlamentare të anëtarëve të këshillit të drejtimit Të 5 që përfaqësojnë pakicën parlamentare në këshillin drejtues, jemi të gatshëm ti shkarkojmë, dhe ti kërkojmë kuvendit emërimin e të tjerëve në përputhje me ligjin, se është krijuar ideja në këshillin drejtues që ata s’kanë çfarë bëjnë se na kanë zgjedhur se s’do bien dakord me njëri tjetrin PS-PD dhe mendojnë se janë pronarë të fakto të RTSH. Unë shpreh vullnetin tim në emër të grupit të PD që nëse nuk ndërpresin procesin, që të hënën fillojmë procedurat për procedurat e shkarkimi”, tha Zhupa.
