PS miraton e vetme projektligjet në Kuvend, opozita bojkoton seancën plenare

Data

Pas rreth pesë orësh diskutime, Kuvendi zhvilloi votimet e rendit të ditës vetëm me praninë e deputetëve të mazhorancës, pasi Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë bojkotuan seancën plenare.

Me votat e Partisë Socialiste u miratuan një sërë projektligjesh që lidhen kryesisht me bujqësinë, menaxhimin e kimikateve, akuakulturën, mbrojtjen e tokës bujqësore, si dhe projektligji për zhvillimin e Censit të Bujqësisë, i cili pritet të nisë në muajin tetor.

Gjithashtu, Kuvendi ratifikoi marrëveshje ndërkombëtare me Gjermaninë për bashkëpunimin teknik, marrëveshjen e huas me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për rehabilitimin e hekurudhës Tiranë–Durrës dhe lidhjen me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, si dhe Konventën për Byronë e Konferencës Evropiane të Aviacionit Civil.

Gjatë votimeve pati edhe qëndrime të ndryshme brenda mazhorancës. Deputeti Erion Braçe votoi kundër projektligjit për mbrojtjen e tokës bujqësore, së bashku me deputetin Erald Kapri, ndërsa abstenoi gjatë votimit të ndryshimeve në ligjin “Për librin në Republikën e Shqipërisë”.

Në të njëjtën seancë u miratuan edhe projektrezolutat për vlerësimin e veprimtarisë së dhjetë institucioneve kushtetuese dhe të pavarura për vitin 2025, përfshirë:

  • Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ);
  • Bankën e Shqipërisë;
  • Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPI);
  • Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare (AMF);
  • Institutin e Statistikave (INSTAT);
  • Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP);
  • Radiotelevizionin Shqiptar (RTSH);
  • Autoritetin e Mediave Audiovizive (AMA);
  • Entin Rregullator të Energjisë (ERE);
  • Entin Rregullator të Ujit (ERRU).

Në përfundim të seancës, Kuvendi miratoi edhe projektvendimin për emërimin e Argita Frashërit si anëtare e Këshillit të Statistikave, me 76 vota pro, 2 kundër dhe asnjë abstenim.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related