Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Kryesinë e Kuvendit, ku pritet të zhvillohet mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, në një moment të rëndësishëm për çështjen e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Mbledhja e sotme do të fokusohet në leximin e raportit të pesë anëtarëve socialistë në Këshillin e Mandateve, lidhur me kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e Ballukut. Hartimi i raportit i është besuar kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja.
Sipas informacioneve, kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla ka kërkuar praninë e të gjithë deputetëve në mbledhje. Në takim pritet të marrë pjesë edhe vetë Balluku.
Gjatë mbledhjes, kryeministri Rama pritet të mbajë një fjalim, ndërsa mbetet e paqartë nëse ish-ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë do të marrë fjalën.
Socialistët kanë lënë të kuptohet se nuk shohin arsye për të dhënë autorizimin për arrestim, duke argumentuar se Balluku tashmë është larguar nga detyra. Ky qëndrim është përmendur edhe nga Rama gjatë mbledhjes së fundit me grupin parlamentar dhe ministrat, kur u njoftuan ndryshimet në qeveri.
Ndërkohë, seanca plenare e 12 marsit pritet të vendosë përfundimisht mbi kërkesën e SPAK për Ballukun. Opozita ka publikuar raportin e saj, duke deklaruar mbështetje për kërkesën e prokurorisë.
Belinda Balluku është marrë e pandehur nga SPAK për çështjen e ndërtimit të tunelit të Llogarasë dhe po hetohet gjithashtu për shtatë lote të Unazës së Madhe, ku ndaj saj rëndon akuza për “shkelje të barazisë në tendera”.
