Grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të mblidhet nesër në orën 11:00 në Pallatin e Brigadave, në një mbledhje që pritet të ketë peshë vendimtare për zhvillimet e fundit politike. Në fokus të diskutimeve do të jetë edhe qëndrimi zyrtar i mazhorancës lidhur me kërkesën e SPAK për autorizimin e arrestimit të zv/kryeministres së pezulluar, Belinda Balluku.
Sipas axhendës së zbardhur, mbledhja do të hapet me fjalën e kryeministrit Edi Rama, i cili njëherazi drejton edhe grupin parlamentar socialist. Më pas, ministrat e kabinetit do të paraqesin raporte të shkurtra mbi punën e dikastereve që drejtojnë, duke pasur secili në dispozicion nga shtatë minuta për prezantim.
Burime politike bëjnë me dije se diskutimi për çështjen e Ballukut pritet të zhvillohet në pjesën e dytë të mbledhjes, ku deputetët do të njihen me qëndrimin e përfaqësuesve socialistë në Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve. Kjo pasi në seancën plenare të 5 marsit do të hidhet në votim kërkesa e Prokurorisë së Posaçme për dhënien e autorizimit për arrestim.
Mbledhja e nesërme shihet si një test për kohezionin e grupit socialist, në një moment kur çështja ka marrë jo vetëm dimension juridik, por edhe politik. Vendimi që do të merret pritet të përcaktojë linjën zyrtare të votimit të PS në Kuvend dhe të ndikojë në klimën e debatit parlamentar në ditët në vijim.
